“Të sigurt me biçikletë” është programi që mbështetet nga ambasada Suedeze për forcimin e policimit në komunitet. Në këtë kuadër Fondacioni EDS ka dhuruar 10 biçikleta për policinë e Tiranës. Në një kohë kur zhvillimi i qytetit ecën me ritme të shpejta dhe politikat janë të prirura drejt promovimit të lëvizjes me biçikletë, të njëjtin hap duhet të ndjekë edhe policia për të garantuar siguri për të gjithë përdoruesit e këtij mjeti.
Drejtori i Policisë së Tiranës Dhimitraq Ziu u shpreh se në kryeqytet ka tre vite që funksionon qarkullimi me biçikletë. Por projekte dhe dhurime të tilla bëjnë të mundur që të rritet besueshmëria dhe cilësia e shërbimit për qytetarët.
Themeluesi i Fondacionit EDS Renis Tërshana u shpreh se po përpiqen që si fondacione të japin kontributin e tyre për sigurinë në rrugë sa i përket qarkullimit me biçikleta.
Mbështetja e policisë së Tiranës me këtë dhurim vjen edhe si rezultat i rritjes së qarkullimit me biçikleta. Ambasada Suedeze ka edhe 10 projekte të tjera për të realizuar me policinë e Tiranës në kuadër të forcimit të policimit në komunitet.
Drejtori Vendor i Policisë, Skënderaj, gjatë fjalës së tij ka shpjeguar të rejat e ristrukturimit të Drejtorisë si dhe ka vlerësuar dhurimin e biçikletave për punonjësit e Policisë së zonave urbane, çka do të sjellë ndihmesë dhe përmirësim në punën e tyre.
Skënderaj: “Ne prej kohësh po punojmë me kolegët tanë të projektit suedez, të cilët unë dua t’i falënderoj dhe i uroj mirëseardhjen sot. Kemi bërë shumë punë dhe projekte bashkë, projekte që nuk ka rëndësi vlera e dhurimit, por bashkëpunimi dhe partneriteti i mirë me fondacionin SCPA dhe Ambasadën Suedeze”.
Zv. Ambasadorja e Suedisë, Birgitta Jansson : “Faleminderit për mikpritjen dhe ftesën e sotme, kjo është faza e dytë e projektit të forcimit të policimit në komunitet, dhe kemi akoma shumë punë për të bërë. Ne e shikojmë që projekti që po financojmë është në kuadër të një strategjie edhe më të madhe, asaj të Ministrisë së Brendshme. Më vjen mirë që ky grant i ndërmarrë zhvillon mundësinë në lehtësimin e përdorimit të biçikletave. Para se të vija në pozicionin aktual, kolegia që më zëvendësonte më tha mos ta sillja biçikletën, pasi është e rrezikshme të lëvizësh me të. Vitet e fundit më vjen keq që nuk e kam marrë biçikletën, pasi shoh që është rritur numri i korsive të biçikletave dhe përdoruesit e tyre kanë më shumë siguri në rrugë. Ju uroj sukses në këtë projekt për rritjen e sigurisë në rrugë.”
Dervishaj : “Dua të falënderoj Projektin Suedez të Policimit në Komunitet, në saj të të cilit kemi bërë të mundur implementimin në Policinë Shqiptare çështje të Policimit në Komunitet. Skema e granteve e realizuar më parë në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, dhe atë të Tiranës sot, uroj dhe dëshiroj të shtrihet dhe në Drejtoritë Vendore të qyteteve bregdetare”.
Skënderaj : “ Ne kemi si prioritetit rritjen e sigurisë për qytetarët dhe jemi në garë për fitimin e besueshmërisë së qytetarëve ndaj Policisë së Tiranë. Nisur dhe nga sondazhet e fundit, policia e Tiranës gëzon dhe fiton besueshmërinë e 62% të pjesës së qytetarëve të saj, dhe ne do vazhdojmë me objektivat tona për rritjen e sigurisë publike dhe forcimit të marrëdhënieve me qytetarët”.
Vlera e këtyre projekteve shkon në 100 milionë euro. Ndërkohë që dhurimi i biçikletave nga Fondacioni EDS për policinë e Tiranës është ndër tre projektet që është realizuar më shpejt.
Artikuj te tjere te ngjashem:
https://ata.gov.al/2018/06/19/policimi-ne-komunitet-suedia-dhuron-bicikleta-per-policine-e-tiranes/
Video: https://www.youtube.com/watch?v=jwN6xknN2n8