Kundershtoj Korrupsionin

Përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe EDS ishin sot të pranishëm në Universitetin Europian të Tiranës për një bashkëbisedim me studentë në kuadër të fushatës “Unë Kundërshtoj Korrupsionin”. Kjo fushatë e ndërmarrë nga prokuroria dhe e mbështetur nga programi OPDAT i Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, është fokusuar kryesisht tek të rinjtë dhe synohet nxitja e qytetarëve për të kundërshtuar dhe denoncuar korrupsionin.
Takimi nisi fillimisht me fjalën e Madrid Kullollit, prokuror për çështjet e antikorrupsionit në Prokurorinë e Përgjithshme. Kullolli prezantoi para studentëve paketën e masave që është ndërmarrë kundër fenomenit të korrupsionit, përmirësimin e legjislacionit ndër vite dhe sfidat që shtrohen për të ardhmen.

“Para vitit 2004 korrupsioni trajtohej në Kodin Penal vetëm me një dispozitë. Por me ratifikimin e Konventës Penale Kundër Korrupsionit, po në vitin 2004 paketa ligjore antikorrupsion ishte shumë e gjerë. U vendosën në Kodin Penal një sërë veprash penale që fillonin me korrupsionin aktiv dhe pasiv në sektorin privat, korrupsionin aktiv dhe pasiv të funksionarëve publikë dhe korrupsionin aktiv dhe pasiv të vetë funksionarëve të drejtësisë”-, u shpreh Kullolli.

Ndër të tjera ai evidentoi faktin se së fundmi një numër i kufizuar veprash penale dhe veprat penale të korrupsionit ndër funksionarët e lartë shtetërore si dhe ndër funksionarët e sistemit të drejtësisë, janë transferuar nën juridiksionin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Sipas tij kjo është bërë për t’i dhënë një fokus më të madh këtyre çështjeve.

Më tej fjalën e ka marrë David Grise, këshilltar ligjor i OPDAT. Grise e ilustroi problemin e korrupsionit nga këndvështrimi i një investitori të huaj që do të vij në Shqipëri, për të ndërtuar një biznes, por heziton nga niveli i lartë i korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Sipas tij korrupsioni i shkakton një dëm shumë të madh shoqërisë, kompanive të huaja që duan të investojnë në Shqipëri dhe vetë ekonomisë në përgjithësi.

“Investimet e huaja janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë, për të krijuar vende të reja pune për ju që po shkolloheni. Nëse unë do të zbatoj një plan biznesi në Shqipëri, do të duhet të bëj kontrata me njerëz të ndryshëm, do duhet të bëj kontrata me njerëzit që do ofrojnë shërbime për biznesin tim. Nëse këto kontrata nuk zbatohen, unë duhet të shkoj në gjykatë. Por kur s’kam besim te vendimet e gjykatave, pasi ato japin vendime të padrejta, unë do të hezitoj të investoj në Shqipëri”,- u shpreh Grise.

Takimi ka vazhduar më pas me pyetje të ndryshme që studentët kanë pasur për përfaqësuesit e kësaj fushate sensibilizuese. Fushata “Unë kundërshtoj Korrupsionin” është shtrirë në të gjitha qarqet e vendit, ndërkohë që të rinjtë kanë krijuar edhe postera të ndryshëm, me anë të të cilëve demonstrohet mënyra se si mund të luftohet korrupsioni.

rejarlitet kalimtar

Days
Hours
Minutes
Seconds